Sunday 10 February 2008

Pse politika është kaq larg ekonomikes?

Për një student të Shkencave Ekonomike, një nga lëndët bazë të mësimit është historia e mendimit ekonomik, ku mësohet që ekonomia dhe politika janë të lidhura ngushtë në atë që quhet ekonomia politike. Termi ekonomia politike do të thotë të bësh politika ekonomike, pra të identifikosh burimet e një vendi dhe nevojat e tij dhe të formulosh politika që përdorin në mënyrën më efikase të mundshme burimet e vendit, për të plotësuar nevojat e tij.

Por në formulimin e politikave, që përcaktojnë edhe shpërndarjen e burimeve, ndeshemi me alternativa, pasi përveç plotësimit të nevojave, luan një rol shumë të rëndësishëm edhe filozofia, sipas të cilës ato hartohen. Termi filozofi këtu nënkupton një tërësi, ku bëjnë pjesë regjimi politik, struktura shoqërore, fazat e zhvillimit të vendit, pasuritë e tij, mendësia e përgjithshme kolektive etj. Kështu, në një ekonomi të planifikuar, ku nuk ka sistem preferencash, edhe përzgjedhja e politikave është e reduktuar ose inekzistente, ndryshe nga një ekonomi liberale, ku burimet shpërndahen në mënyrë konkurrente, dhe garën e fitojnë politikat më efikase, për sa i përket riprodhimit të burimeve.

Në një monarki ato shkojnë në favor të atyre që kanë pushtetin shoqëror. Duke qenë se kemi adaptuar vitet e fundit një sistem ekonomie të lirë dhe konkurrues, në Shqipëri "funksionon" mekanizmi i përzgjedhjes së politikave dhe, si i tillë ky mekanizëm mbledh një numër të caktuar prioritetesh, nga të cilët përzgjidhen më të rëndësishmit.

Dëshiroj të shtroj pyetjen ngacmuese: Kush është përzgjedhësi i politikave në një vend? Përgjigjja më e pamenduar do të ishte: shteti ose qeveria. E gabuar, pasi në fakt përzgjedhësi i politikave ekonomike është shoqëria. Të qenit në pushtet është diçka e përkohshme për çdo forcë politike që merr pjesë në "luftën paqësore" midis partive. Mënyra se si forcat politike arrijnë në pushtet ka të bëjë me rregullat e vetë sistemit politik, por dihet që në luftën politike ndërfuten shumë elementë ekonomikë, pasi në thelb forcat politike përfaqësojnë interesat e njerëzve dhe këto interesa janë përgjithësisht interesa ekonomike.

Kështu, midis ekonomisë dhe politikës ka dy ndërveprime, të cilat dalin qartë në pah në gjuhën shqipe, e cila përdor fjalën politikë edhe për fjalën angleze ‘politics‘ që do të përkthehej me ‘politikë‘, edhe për fjalën ‘policy‘ që do të përkthehej me politika. Ndërveprimi i parë ekonomi-politikë është në kuptimin e politikave ekonomike të një vendi, që zbatojnë prioritetet kryesore të tij, në përputhje me filozofinë e sistemit. Kështu, mund të përzgjidhen prioritetet më të realizueshme, më prioritarë apo më efikasë. Këtu kemi ekonominë politike. Ndërveprimi i dytë ka të bëjë me mënyrën se si përmes konkurrencës pacifike, vijnë në pushtet përfaqësues të interesave të caktuar ekonomikë, që na jep politikën të bazuar mbi ekonomiken. Sido që ta shohim, nga ana e ekonomisë politike apo nga ana politike, por të bazuar mbi ekonomiken, këto të dyja janë të lidhura ngushtë. Në Shqipëri ndodh e kundërta, ato nuk janë të lidhura. Në mënyrën se si vijnë në pushtet forcat politike, se si përzgjidhen prioritetet, se si vendimmarrësit vendosin, se si rishikohen planet e buxhetimit dhe se si vetë njerëzit nuk e ndiejnë se janë pjesë e të gjithë këtij procesi.

Politikanët kur nuk janë në pushtet nuk përzihen në përzgjedhjen e prioriteteve pasi ata janë në arenën e konkurrencës politike dhe jo në një fushë bashkëpunimi,. Kështu kur është rasti për të diskutuar dokumente strategjike të shoqërisë shqiptare, si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, pjesëmarrja është e reduktuar. Tema kryesore e debatit politik sillet rreth mënyrave sa më efikase të dëmtimit të imazhit të njërës palë nga pala tjetër e spektrit politik dhe jo rreth problematikave të përbashkëta. Hapësira që i kushtohet një diskutimi të tillë në televizionet publike dhe në mediat e shkruara është gjithashtu e reduktuar. Vetë administrata që harton dokumentin strategjik, pra që bën punën fillestare të përzgjedhjes së disa prioriteteve, është e futur në një rutinë burokratike që e bëjnë të besojë se kjo rutinë është prioritet.

Njerëzit që të mësuar me një regjim asistence, presin çdo gjë nga shteti nuk e kanë të qartë rolin e tyre, që ka të bëjë me llogarinë që duhet t‘u kërkojnë politikanëve, të cilët duhet të debatojnë me njëri-tjetrin përzgjedhjen e kësaj apo asaj politike, në të mirë të zgjedhësve. Prandaj zgjidhen deputetët, për të mbrojtur të drejtat e elektoratit të tyre! Ndërsa duke soditur debate që mbeten ngushtësisht vetëm politike edhe publiku bëhet palë dhe e harron rolin e tij të rëndësishëm. Në debatin publik televiziv apo të shkruar, duhet të jenë në qendër politikat konkrete për të përmirësuar gjendjen energjetike, shërbimin shëndetësor, arsimor, për t‘i dhënë shtytje krijimtarisë individuale sipërmarrëse, për të pakësuar urgjentisht ndotjen e ambientit etj.

Loja politike është vetëm një aspekt i funksionimit të shtetit. Thelbi i saj është që ajo mbështetet dhe reflekton interesat e njerëzve. Politika është mburoja ndërsa ekonomikja është thelbi. Kjo nuk do të thotë që interesat e njerëzve janë vetëm ekonomike, por historia e civilizimit tregon për një gjenezë të bazuar në garantimin e sigurisë dhe të interesave të gjera ekonomike, të formave të para të organizimit shoqëror.

Për të mos e lënë politikën bosh, pa asnjë thelb dhe pa asnjë lidhje të ngushtë me realitetin e jetës së njerëzve, pra për t‘i veshur asaj një petk "civil" duhet të konsultohen dhe diskutohen sa më gjerë politikat ekonomike të vendit. Dokumenti kombëtar i politikave ekonomike për 7 vitet në vijim, është bërë publik nga Këshilli i Ministrave dhe është në të mirë të procesit të përmirësimit të tij, konsiderimi i këtij dokumenti me po aq rëndësi sa edhe ligjet, tenderat e fituar mbi baza klanore apo zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm.
Gazeta Shqip, 10 shkurt 2008