Tuesday 1 February 2011

Shumë zhurmë për asgjë

Ndodhem në një komunitet njerëzish që nuk janë mësuar të jetojnë në paqe dhe të lumtur me njëri tjetrin. Në gjirin e tyre ka shume konflikt dhe tension te pashteruar. Nuk është vetëm pasojë e të kaluarës por e të tashmes si dhe e mungesës së të ardhmes. E kaluara nuk paraqet momente të shkëlqyera, më së shumti ajo është e mbushur me episode luftërash, shtypjeje, pushtimi, nënshtrimi, tiranie, shpërbërjeje dhe zvetënimi.
Megjithatë gjërat mund të ndryshojnë, fara e të mirës mund të prodhojë mirësi dhe për këta njerëz. Por problemi është që edhe pse ka njerëz të mirë, njerëz me parime e të ndershëm, ata nuk i dëgjon kush, jo më t’i ndjekë turma.

Komuniteti sapo ka pësuar një shok tjetër, që i shtohet historisë së tronditjeve kolektive të përmasave të mëdha. Nga ato që trondisin çdo njeri. Edhe pse të tronditur njerëzit nuk arrijnë në ndonjë konkluzion kolektiv koherent, “fajin për trazirat e patën të dyja palët, edhe ata që provokuan me gura edhe ata që reaguan me plumba”. Pasi komuniteti është i ndarë dhe ka mungesë “çimentoje sociale” njerëzit janë të ndarë, në mikro-grupe, ku anëtarë janë 1-2 veta. Secili mikro-grup ka versionin e vet të ngjarjeve dhe nuk pajtohet me versionin e grupeve të tjera që mund të konsiderohen aleate, jo më me atë të grupeve kundërshtare.

“Një ditë më parë, u bë një përpjekje për grusht shteti” thotë një grup. “Sot pasi protesta paqësore u shndërrua në ditë zie, kryeministri duhet të japë dorëheqjen” thotë grupi tjetër. “Turp t’i vijë qeverisë që godet njerëz të pafajshëm, njerëz që protestojnë kundër regjimit të saj të korruptuar dhe gjejnë vdekjen”. “E gjitha ishte një lojë e organizuar nga kryetari i opozitës, por ai do të dënohet për përpjekjet kriminale të marrjes së pushtetit me forcë”, thotë qeveria pa kërkuar as falje për viktimat dhe masat ekstreme me të cilat iu përgjigj protestës provokuese.

Një pjesë e komunitetit janë të prekur, të zhgjënjyer nga opozita, pjesa tjetër nga pushteti. Megjithatë nuk do të dalë asnjë variant i ngjarjeve apo i ndëshkimit të fajtorëve që do t’i kënaqë të gjitha palët dhe të gjithë do të mbeten sërish të pakënaqur. Të pakënaqur me pushtetin, mosbesues, të pakënaqur me opozitën, mosbesues. Historisë nuk do t’i gjendet zgjidhja as nuk do t’i dalë fundi. Të dyja palët kundërshtare do të vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën, situata do vazhdojë të tensionohet dhe ndërkohë populli pas një fundjave në shok do t’i kthehet normalitetit në të cilin çdo gjë i duket e pranueshme, edhe ngjarje tronditëse si ajo që sapo ndodhi.

Kryeministri nuk do ta japë dorëheqjen pasi nuk e shikon veten në faj. Ai shikon në faj opozitën. Kryetari i opozitës nuk do t’i ndahet akuzave, do të vazhdojë me protesta pasi nuk e njeh kryeministrin dhe e mban atë fajtor. Këta dy prototipa pushtojnë çdo ditë mendjet e njerëzve, ngjarjet, lajmet televizive, bisedat popullore, bisedat familjare. Gjysma quan horr, psikopat dhe kriminel njërin, gjysma tjetër quan hajdut, kokderr dhe të sëmurë mendor tjetrin. Me pak fjalë dhe njëri dhe tjetri konsiderohen nga njerëzit të papranueshëm për rolin që kanë ose pretendojnë, të drejtojnë komunitetin. Megjithatë njëri është në pushtet dhe tjetri aspiron. Edhe sikur kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të kishte zgjedhje ai prapë do kandidonte si dhe ai tjetri, drejtuesi i opozitës. Prapë ata të dy do paraqiteshin si përfaqësues të votës së lirë, të vullnetit demokratik dhe do ligjëronin me orë të tëra deri në ngjirje se sa mirë e mbrojnë komunitetin dhe se sa i shëndetshëm do bëhet komuniteti nën drejtimin e tyre. Paçka se njëri nuk e ka problem t’i bëjë theror njerëzit që i nxorri në protesta dhe tjetri t’i vrasë sikur jeta e tyre për të dy të mos kishte asnjë vlerë përveç rolit simbolik të sakrifikimit. Ndërkohë komuniteti është i vrarë nga afër ose nga larg, i zemëruar, i varfëruar, i papunë, me probleme sociale dhe personale dhe në depresion. I gjithë komuniteti është në depresion, e ka humbur shpresën ose sillet si një turp pa kokë pasi i ka humbur piketat e referimit të një modeli të shëndetshëm. Gjërat janë mbrapsht, pranohen vjedhje, vrasje, përfitime personale nga pushteti, ndarja e vendeve të punës sipas përkatësive partiake, rryshfete, etj. Vetëm një gjë nuk pranohet, padrejtësia mbi fëmijët, brezin e ri, prandaj në moshën që fillojnë të formohen si qenie të rritura ata nisen jashtë me studime, për të mos pësuar deformime personaliteti – për ata që mund ta përballojnë, të tjerët pësojnë dëmet mendore dhe emocionale që i’u shkaktojnë ata të dy dhe i gjithë aparati i tyre.

Situata në komunitet është e nderë, e helmatisur, njerëzit nuk e duan njëri tjetrin, madje i ruhen njëri tjetrit, evitohen se po u takuan do përplasen prej atyre të dyve, drejtuesve. Ndjekin në vetmi, ose në mikro-grupet prej 1-2 njerëzish lajmet në TV dhe shokohen, “si e bëri ai maskara këtë”? Po kush maskara? Ai apo ai tjetri? E çfarë ndryshimi ka, kur të dy shtypin e përdhosin të drejtën e dinjitetin e njerëzve të njërës ose tjetrës palë? Sido që ta marrësh edhe njëri edhe tjetri nuk janë në rregull pasi nuk arrijnë dot të garantojnë jetën, të drejtat dhe mirëqënien e të gjithëve. Pra nuk janë të pranueshëm për të gjithë komunitetin.

Ka dhe që thonë “ata janë e keqja jonë, e keqja e komunitetit, e të ardhmes. Si t’ia bëjmë që të çlirohemi prej tyre? Të kërkojmë të japin dorëheqjen. Edhe po e bënë do të kishte zgjedhje dhe po ata do ishin kanditatët. E çfarë do ndryshonte? Filiza të reja dhe të forta që mund të mbijetojnë në mesin e kaosit nuk ka. Atëhere kush do na shpëtojë?” Vërtet pyetje pa përgjigje ose më saktë me përgjigje që të shtyn në fatalitet. Ku janë njerëzit e mirë? Pse nuk arrijnë ata të drejtojnë? Ndoshta kopshtarët e të ardhmes nuk kanë bërë punë të pastër se dhe ata janë të zhytur? Ka që përfundojnë “i kemi sytë të ngritur nga qielli dhe nga perëndimi”. Si gjithmonë. Po shpëtimi vjen nga brenda, nga forca e arsyes dhe e mira që njerëzit e mirë mbjellin. Po me sa duket ata kanë rënë në plogështi ose janë shumë pak.

Pas një fundjave të ngarkuar me dhunë, vdekje, përplasje, sharje, akuza, kërcënime, të hënën njerëzit do i kthehen jetës së përditshme. Asgjë nuk do të ketë ndryshuar në realitetin e tyre, as në shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Ata të dy do të jenë prapë aty duke shtypur çdo shpresë.